Trajneri i Laçit, Naxhi Shensoi, tha se me golat që ka nisur të shënojë së fundmi, Ernest Muçi po i dërgon një mesazh të qartë trajnerit të Kombëtares Sylvinho, që duhet ta përfshijë në planet e tij për sfidën kundër Polonisë në playoff-in e Kupës së Botës.
“Sylvinho nuk është babagjyshi që ndan çokollata. Fanellën e Kombëtares të shtetit tënd duhet ta fitosh, jo ta marrësh dhuratë, ta japë trajneri. Sylvinho nuk është babagjyshi, duhet ta kuptojmë këtë. Ernest Muçi kishte një fat të keq që ishte te Beshiktashi, që ishte në krize totale, klubi kishte borxhe dhe po ndërroheshin shumë trajnerët. Por nëse Muçi luan kështu, Sylvinho nuk ka se ku të shkojë”, tha Shensoi i ftuar në Mega Sport nga Altin Sulçe, në A2 CNN.
“Dua të komplimentoj edhe Armand Dukën për vizionin e madh dhe guximin që kishte me Sylvinho-n. Që nga viti 1945, pra gati 80 vite, në Europë kishin ardhur vetëm dy trajnerë të Brazilit. Kjo tregon shumë, pra brazilianët, janë shumë të mirë si lojtarë, kanë teknikë, por nuk kanë aftësi drejtuese dhe prandaj në Europë nuk i preferojnë. Trajnerët brazilianë shkojnë më shumë në Arabinë Saudite, në Katar, por jo në Europë. Sylvinho duket rast përjashtimi”, tha Shensoi. (A2 Televizion)