
Eksperienca e Thiago Silvës në Brazil duket se ka ardhur drejt fundit. Mbrojtësi 41-vjeçar e ka mbyllur aventurën me Fluminense pas humbjes në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Brazilit ndaj Vasco da Gama, të vendosur pas goditjeve të penalltive.
Sipas raportimeve të “Globo Esporte”, në përfundim të ndeshjes Silva ka përshëndetur shokët e skuadrës, duke lënë të kuptohet se po mendon për një rikthim në Itali, konkretisht te Milani, skuadër ku ka jetuar periudhën më të suksesshme të karrierës.
Nga njëra anë qëndron dëshira për t’u rikthyer në Europë, pranë familjes dhe fëmijëve të tij që jetojnë në Londër pas largimit nga Chelsea, ndërsa nga ana tjetër ambicia për të marrë pjesë edhe një herë në Kupën e Botës, përpara se të mbyllë karrierën. Qëllimi i Silvës është i qartë, të luajë në nivele të larta për të bindur trajnerin e Brazilit, Carlo Ancelotti, për një ftesë në Botërorin 2026.
Megjithatë, rikthimi te Milani nuk është i sigurt. Mosha e madhe e mbrojtësit ngre dyshime te drejtuesit e klubit kuqezi, të cilët po orientohen më shumë drejt një profili të ri dhe një alternative për repartin defensiv, sesa një lojtari me peshë si Thiago Silva.
Për më tepër, prania e tij mund të prishë ekuilibrat e ndërtuar nga Massimiliano Allegri dhe të ndryshojë hierarkitë brenda skuadrës, ndaj dëshira e futbollistit mund të mos jetë e mjaftueshme për ta bërë realitet rikthimin e bujshëm në Milano. (A2 Televizion)