Magazinierë dhe shitës pijesh freskuese, njihuni me lojtarët më të veçantë të Botërorit të Klubeve

Nga A2 CNN
14 Qershor 2025, 20:10 | Futboll

Magazinierë dhe shitës pijesh freskuese, njihuni me lojtarët

Ndërsa Kupa e Botës për Klube e FIFA-s nis këtë të shtunë në Shtetet e Bashkuara, vëmendja e shumicës së tifozëve do të jetë e përqendruar te superyjet e futbollit që garojnë për deri në 125 milionë dollarë, emra si Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Erling Haaland që përfaqësojnë klubet e tyre.

Por historia e jashtëzakonshme e skuadrës amatore Auckland City FC nga Zelanda e Re ka kaluar pothuajse pa u vënë re, me lojtarët e saj që janë gati për udhëtimin e jetës për t’u përballur me elitën botërore të futbollit, shkruan A2 CNN. Me bazë në periferi të qytetit më të madh të Zelandës së Re, kjo skuadër përbëhet nga lojtarë që punojnë ose studiojnë me kohë të plotë përveç angazhimit në futboll.

Nga drejtues pirunësh industrialë deri te shitës pijesh freskuese dhe agjentë të pasurive të paluajtshme, ngjitja e këtij klubi të vogël në majat e futbollit botëror është krahasuar nga disa me një skenar filmi në Hollywood.

Pasi fitoi Ligën e Kampionëve të Oqeanisë vitin e kaluar, Auckland City siguroi pjesëmarrjen në këtë turne si përfaqësuesja e vetme e kontinentit.

Të vendosur në një grup ku bëjnë pjesë Bayern Munchen, Benfica dhe legjenda argjentinase Boca Juniors, kjo skuadër e përulur nga Oqeania do të përpiqet të shkruajë historinë në skenën më të madhe të klubeve.

Të ndjekësh ëndrrën, mes punës e sakrificave

Në një intervistë për CNN Sports, kapiteni i ekipit, Mario Ilich, tregoi se “dashuria për lojën” është forca shtytëse që i çoi drejt kësaj arritjeje. “Njerëzit thonë që futbollistët profesionistë punojnë shumë dhe me të drejtë, por ne po përpiqemi të konkurrojmë në nivelin më të lartë ndërkohë që mbajmë dy apo edhe tre punë”, tha ai.

Magazinierë dhe shitës pijesh freskuese, njihuni me lojtarët
Kapiteni Mario Illich. Lart, duke punuar për Coca-Cola. Poshtë, duke u stërvitur në futboll.

Magazinierë dhe shitës pijesh freskuese, njihuni me lojtarët

Ilich, i cili punon si përfaqësues shitjesh për Coca-Cola, përshkroi rutinën e tij të përditshme si një garë me kohën. “Zgjohem rreth orës 5 të mëngjesit për në palestër, kthehem për mëngjes dhe shkoj në punë në 8. Mbaroj rreth 5 pasdite dhe nxitimthi shkoj në stërvitje në orën 6. Kthehem në shtëpi në 9 të darkës, ha darkë dhe fle për ta nisur nga e para ditën tjetër”.

Skuadra stërvitet katër ditë në javë, ndërsa ndeshjet zhvillohen të shtunave. Është një orar që lë pak kohë për familjen apo jetën personale, dhe shpesh rëndon edhe mbi marrëdhëniet familjare. “E shoh të dashurën vetëm të premteve në darkë, ose ndonjë të diel të rrallë. Por, për fat të mirë, ajo më mbështet dhe e kupton se karriera e një lojtari është e shkurtër”, shtoi ai.

Përballë legjendave të futbollit

Portieri Conor Tracey rrëfeu emocionin e momentit kur mësuan shortin e grupit. “U mblodhëm në klub në orën 6 të mëngjesit për ta parë shortin live, para se të shkonim në punë. Sa herë dilte një emër, mbeteshim pa fjalë – ekipet më ikonike në histori, një short ëndrrash për këdo që do të testojë veten”, tha Tracey, i cili punon në një magazinë farmaceutike veterinare.

Magazinierë dhe shitës pijesh freskuese, njihuni me lojtarët

Por puna fizike e përditshme ka ndikuar negativisht në shëndetin e tij. “Punët që bëj janë shumë fizike, dhe kjo më ka bërë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve sesa një portier profesionist. Ka pasur momente shumë të vështira mendërisht, sidomos në mëngjeset e ftohta të dimrit. Shpesh kam menduar të heq dorë”. Gjithsesi, pjesëmarrja në Kupën e Botës për Klube ka qenë motivimi kryesor për të vazhduar.

Magazinierë dhe shitës pijesh freskuese, njihuni me lojtarët

Nga ëndrra europiane në realitetin e pasurive të paluajtshme

Zëvendëskapiteni Adam Mitchell, që dikur pati një shans për të luajtur me Crvena Zvezdën dhe më pas në Slloveni e Angli, vendosi të kthehej në Zelandën e Re për një jetë më të qëndrueshme duke punuar në pasuri të paluajtshme. “Ëndrra për t’u bërë profesionist është shumë e madhe për shumë të rinj, por realiteti është tepër i ashpër. Janë mijëra lojtarë që luftojnë për pak kontrata. Kur nuk arrin, dhe je larg shtëpisë, është shumë e vështirë mendërisht”, tregoi ai.

Magazinierë dhe shitës pijesh freskuese, njihuni me lojtarët
Adam Mitchell, lojtar i Auckland City

Megjithatë, rikthimi në Auckland City i dha mundësinë të ndjekë pasionin ndryshe, duke përfaqësuar vendin në skenën më të madhe. “Kam kujtime të paharrueshme nga Kupa e Botës 2010, kur Zelanda e Re barazoi në tri ndeshje. Tani kemi një mundësi të jashtëzakonshme të bëjmë diçka të ngjashme me klubin tonë”, tha Mitchell.

Në fushë, 11 kundër 11, me pasion e shpresë

Për Ilich, ideja për të luajtur kundër një ylli si Joshua Kimmich është një ëndërr që bëhet realitet. “E kam ndjekur gjithmonë Kimmich-in. Po ashtu, Musiala është një tjetër lojtar i jashtëzakonshëm. Kanë cilësi në çdo pozicion”, tha ai.

Portieri Tracey, që do të përballet me ikonën Manuel Neuer, e konsideron këtë si një sfidë unike për t’i treguar botës se Auckland City nuk ka ardhur për turizëm. Në mbrojtje, Mitchell do të ketë për detyrë të ndalojë Harry Kane-in, të cilin e konsideron si një nga sulmuesit më të mirë të brezit të tij.

Pavarësisht emrave të mëdhenj përballë tyre, skuadra e Auckland City nuk ka frikë nga sfida. “Ata marrin miliona në vit, ne jemi amatorë që luajmë nga dashuria për lojën. Por kemi diçka të veçantë: jemi miq të ngushtë dhe luftojmë për njëri-tjetrin”, përfundoi Ilich. “Nëse ndjekim planin e trajnerit dhe japim maksimumin, kush e di çfarë mund të ndodhë? Në fund të fundit, është thjesht 11 kundër 11. Ne do të shkojmë atje për të bërë atë që gjithmonë kemi bërë: të ëndërrojmë madhështinë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos