Mbappe mbërriti, si do të luajë Ancelotti me skuadrën e re galaktike

Nga A2 CNN
17 Korrik 2024, 08:09 | Futboll

Mbappe mbërriti, si do të luajë Ancelotti me skuadrën e re

Kylian Mbappe u bë zyrtarisht ditën e djeshme një galaktik, teksa hodhi përkrah Florentio Perez, firmën në kontratën që e lidh me Real Madrid deri në qershor të 2029.

E teksa dje ishte ditë feste, pas nënshkrimit të Mbappe i vetmi që do të ketë dhimbje koke është Carlo Ancelotti. Tekniku italian do të duhet t’i gjejë sulmuesit francez një vend në 11 titullare të mbushur tashmë me yje.

Përveç Mbappe, “Los Blancos” do të kenë në organikë edhe brazilianin Endrick, ndaj Carletto do të duhet të rishikojë pozicionet në sulm.

Reali ka nevojë për një trajner që nuk është i prirur drejt logjikës absolutiste, si nga pikëpamja taktike-strategjike, ashtu edhe nga ajo e drejtimit të grupit, e kush më mirë se Ancelotti mund ta menaxhojë kaq shumë mirësi.

Ancelotti humbi Kroos, Nacho dhe Joselu, me të parin që i dha lamtumirën futbollit dhe dy të fundit të destinuar për Arabinë dhe Katarin. Por, Modriç ka mbetur edhe pse po i afrohet të 40-ave, ndërsa përpara sigurisht që nuk ka probleme me mungesë lojtarësh.

Mbappe dhe Endrick kanë mbërritur, duke iu bashkuar Vinicius, Rodrygo dhe Bellingham, të cilët luajtën edhe si qendërsulmues të rremë ose të vërtetë gjatë sezonit të kaluar.

Carletto gjen Courtois mes shtyllave dhe mbrojtja është gjithmonë e një niveli të lartë mes Carvajal ose Lucas Vazquez në të djathtë, Mendy në anën tjetër dhe lojtarë fleksibël në mes si Rudiger dhe Alaba, të cilëve ju shtohet një qendër më se e besueshme si Militao.

Nga mesfusha e lart gjërat do të ndryshojnë në mënyrë të pashmangshme. Logjika sugjeron që  Tchouaméni dhe Camavinga do të jenë dy mesfushorët e qendrës në formacionin 4-2-3-1, të destinuar për tu përshtatur në një 4-4-2 në fazën mbrojtëse, me Valverde që zë krahun e djathtë, Vinicius krahun e majtë dhe Mbappe në qendër të sulmit, me Bellingham pas tij.

Prania e uruguaianit në vend të Rodrygo garanton mbulim më të madh, me të gjitha rrëshqitjet kur kundërshtarët janë në zotërim të topit. Bellingham mund të alternohet sakaq me Vinicius në mbulimin e sektorit të majtë, ose të lëvizë mes mesfushorëve qendrorë. Në fazën sulmuese, rrjedhshmëria e futbollit të Realit pasurohet nga mundësia e afrimit të anësorit të majtë brazilian me Mbappe për të mbingarkuar atë zonë, si alternativë, me shkëmbimin e pozicioneve ndërmjet qendrës dhe krahut të majtë.

Gjatë lojës, Ancelotti mund të rrisë forcën sulmuese duke vendosur Rodrygo në të djathtë dhe duke lëvizur pozicionin e Valverde, ose të inkuadrojë Endrick edhe të ndryshojë sistemin e lojës me një 4-3-3, me Vinicius dhe Mbappe nga krahët. Pa përmendur opsionin Arda Guler, i cili mund të luajë mesfushorin sulmues apo lojtarin e ri fals të Realit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos