Hidhet firma mbi kontratë, Mbappe kalon testet mjekësore te Reali

Nga A2 CNN
16 Korrik 2024, 11:56 | Futboll

Santiago Bernabeu është duke u mbushur me mijëra fansa të Real Madrid, të cilët do të mirëpresin francezin Kylian Mbappe në prezantimin si numri 9 i “Los Blancos”.

Vetë sulmuesi ka mbërritur në spitalin universitar Sanitas La Moraleja ku ka kryer testet mjekësore në orën 08:30.

Mbappe i ka kaluar ato pa probleme ndërsa mjekët e Realit janë kujdesur të marrin më shumë detaje për frakturën që pësoi në hundë më 17 qershor gjatë sfidës së Francës me Austrinë, dhe që e detyroi të luante me maskë për të shmangur problemet deri në gjysmëfinale kundër Spanjës.

Tifozë të shumtë prisnin ta shihnin sulmuesin transaplin nga afër dhe të merrnin firmën e tij përpara se të bënte ekzaminimit, ndërsa pas vizitave mjekësore Mbappe iu drejtua dhomave të zhveshjes së Merengues.

Një foto e tij pranë dollapit ku do të ulet për sezonin e ri tregon se ylli francez do të jetë mes Modriç dhe Valverde.

Sakaq në Valdebebas, Mbappe përkrah presidentit Florentino Perez ka hedhur edhe firmën mbi kontratën 5 vjeçare, që do ta mbajë të lidhur deri në 2029 me Realin e Madridit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos