Mbyllja e Euro 2024 dhe Copa America ridimensionoi garën për “Topin e Artë” 2024. Më 31 korrik përfundon edhe sezoni futbollistik 2023-2024, periudha që merret në konsideratë për çmimin më prestigjioz individual.
Pas suksesit të Argjentinës në Copa America, Leo Messi është kthyer në garë. Gjithsesi, kapiteni i albicelestëve është vetëm i gjashti në listë, me 5 përqind shanse për të fituar. Trofeu i nëntë individual duket tejet i vështirë të arrihet. Përpara tij është talenti i Barcelonës, Lamin Yamal, rekordmeni i Spanjës fituese. Surpriza e madhe mund të jetë Dani Carvahal, fitues i Champions League me Realin dhe i Euro 2024. Mbrojtësi vlerësohet se ka 11 përqind shanse.
Jude Bellingham zbriti në vendin e tretë, me 17 përqind. Dështimi i dytë radhazi i Anglisë në finale, i hoqi shanset yllit të Realit që ta fitonte çmimin. Në mënyrë të jashtëzakonshme janë rritur kuotat e Rodrit, i cili u shpall edhe si Lojtari më i Mirë i Kampionatit Europian. Mesfushori ka 31 përqind shanse.
Si favorit për “Topin e Artë” vlerësohet Vinicius Jr. Sulmuesi ishte protagonisti i madh i dy trofeve të Realit, titulli në Spanjë dhe Champions. Braziliani ka 44 përqind shanse edhe pse “seleçao” dështoi në Copa America. Jashtë listës së favoritëve dy lojtarët që zhgënjyen më tepër në Euro2024, Kylian Mbappé dhe Harry Kane.
100 gazetarë do të votojnë 30 kandidatët e përzgjedhur nga France Football për Topin e Artë, të cilët janë pjesë e përfaqësueseve që klasifikohen mes 100 vendet e para në renditjen e FIFA-s. Fituesi do të përzgjidhet për paraqitjet individuale dhe sukseset me skuadrat në nivel klubesh apo kombëtaresh në periudhën nga 1 gushti 2023 deri më 31 korrik 2024. (A2 Televizion)
“Topi i Artë” 2024, Vinucius favorit, Rodri e Messi kthehen në garë
