Milani në një krizë totale. Kuqezinjtë u mundën 2-1 nga Lazio në San Siro duke regjistruar humbjen e tretë radhazi dhe tani llogaritë për një vend në Champions sezonin e ardhshëm bëhen thuajse të pamundura.
Në pjesën e parë, kryeqytetasit italianë ishin dukshëm më mirë me raste të njëpasnjëshme, ndërsa golin e avantazhit e realizoi Zaccagni. Milani u mundua të reagojë në pjesën e dytë, por situata u vështirësua në minutën e 68′, kur Pavlovic bëri një faull të rëndë ndaj Isaksen dhe la ekipin me 10 lojtarë, shkruan A2.
Pas kësaj, trajneri Sergio Conceição luajti gjithçka për gjithçka. Samuel Chukwueze, i sapofutur në fushë, gjeti barazimin në minutën e 85 dhe rihapi sfidën. Megjithatë, fati nuk ishte me kuqezinjtë në minutat e fundit. Mike Maignan ndali në mënyrë të parregulltt Isaksen në zonë dhe pas shqyrtimit dhe nga sistemi VAR, gjyqtari drejtoi gishtin nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Pedro nuk gaboi dhe i siguroi tre pikë me vlerë Lazios në luftën për një vend në Ligën e Kampionëve. Kryeqytetasit e Italisë aktualisht janë në vendin e katërt në pritje të ndeshjes Juventus-Verona sot në darkë, ndërsa Milani me 41 pikë, 9 larg vendit të katërt.
Në takimin tjetër Roma bëri detyrën duke mundur 2-1 Comon. Në pjesën e parë miqtë surprizuan me një gol nga Cunha, por festa nuk zgjati shumë. Në fraksionin e dytë, ekipi i Ranierit bëri përmbysjen e madhe. Fillimisht Saelemakers dhe pas tij Dovbyk i dhuruan Romës fitoren dhe tre pikë me vlerë në klasifikim.
Aktualisht, verdhekuqtë janë në vendin e tetë, me 43 pikë. (A2 Televizion)