Pas një mbledhjeje 5 orëshe, grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi t’i japë fund bojkotit të nisur këtë të hënë. Sali Berisha deklaroi se bojkoti nuk është opsion dhe se opozita do të rikthehet në Kuvend për të rikthyer funksionimin kushtetues të Parlamentit, duke paralajmëruar gjithashtu “surpriza” në seancat e ardhshme.
Bojkoti i demokratëve zgjati vetëm 24 orë. Pas pesë orësh të mbledhjes së grupi parlamentar, qëndrimet u zbutën duke iu rikthyer parimit statutor se fusha nuk mund të lihet bosh.
“Bojkoti, edhe një herë, nuk është opsion. E kemi të ndaluar”, tha Berisha.
Por, kjo për opozitën nuk do të thotë pranimi i situatës me të cilën funksionin Kuvendi i Shqipërisë, duke paralajmëruar surpriza me rikthimin në Kuvend.
“Por, ndonjë surprizë edhe e lë, pra vendimi është i prerë, do të bëhet çdo përpjekje e domosdoshme për rikthimin e Parlamentit, funksionimin e tij mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve”, theksoi Berisha.
Kjo mbledhje grupi erdhi pas zgjedhjeve të pjesshme të 9 nëntorit, të cilat Berisha i konsideroi si zgjatim të farsës elektorale të 11 majit: “Shqipëria ka vetëm farsë elektorale. Tani edhe botërisht po njihen, quhen autokraci elektorale apo diktatura totalitare”.
Vendimi për të mbajtur një qëndrim ndryshe në Kuvend erdhi pasi socialistët me votat e tyre hodhën poshtë kërkesat e demokratëve për komisione hetimore. (A2 Televizion)
