Ndeshja Shqipëri-Angli në “Air Albania”, udhëzime të rëndësishme për tifozët nga Policia e Shtetit dhe FSHF

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 15:21 | Futboll

Ndeshja Shqipëri-Angli në “Air Albania”, udhëzime

Në kuadër të ndeshjes së ardhshme që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” Shqipëri – Angli, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Federatën e Futbollit ka përcaktuar disa masa organizative dhe udhëzime për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe për të garantuar sigurinë maksimale të tifozëve.

FSHF fton të gjithë sportdashësit që do të ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit të respektojnë rregullat dhe udhëzimet e mëposhtme:

Tabela orientuese dhe informacion paraprak për tifozët
Në ditën e ndeshjes, stafi i stadiumit “Air Albania” do të vendosë tabela orientuese në perimetrin e jashtëm të stadiumit, për të ndihmuar tifozët të gjejnë më lehtë hyrjen dhe tribunën përkatëse sipas biletës që kanë blerë.

Koshat plastike dhe kontrollet fizike
Në pikat e hyrjes së stadiumit do të vendosen kosha plastike për grumbullimin e sendeve të ndaluara, të cilat mund të zbulohen gjatë kontrolleve fizike nga strukturat e sigurisë. Gjithashtu, grumbullimi i monedhave dhe sendeve të tjera të vogla do të bëhet nga përfaqësuesit e Kryqit të Kuq.

Rregullat e hyrjes në stadium
Të gjithë tifozët duhet të jenë të pajisur me biletën përkatëse për hyrjen në stadium.
Nuk do të lejohet futja e fëmijëve pa biletë, pavarësisht moshës, në mënyrë që të shmanget mbipopullimi dhe bllokimi i shkallëve gjatë ndeshjes.
Gjithashtu, tifozët paralajmërohen se biletat e dublikuara ose të falsifikuara nuk do të njihen nga sistemi elektronik i stadiumit, dhe poseduesit e tyre nuk do të lejohen të hyjnë.
Portat e stadiumit do të hapen tre orë përpara fillimit të ndeshjes, ndaj FSHF dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje tifozëve të mbërrijnë në kohë, të ndjekin udhëzimet e rendit dhe të drejtohen drejt tribunës së përcaktuar në biletën e tyre.
Federata e Futbollit falënderon tifozët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, me qëllim që ndeshja të zhvillohet në një atmosferë sportive, të sigurt dhe korrekte për të gjithë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos