
Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, thotë se forca e tij politike zgjodhi të mos fshihej në këto zgjedhje të pjesshme vendore dhe për këtë u shpërblye me më shumë besim nga ana e qytetarëve.
“Ne nuk zgjodhëm të fshihemi, ne zgjodhëm të përballemi! Në zgjedhjet e dt. 9 nëntor, e vetmja parti që garoi zyrtarisht përballë pushtetit ishte Lëvizja Shqipëria Bëhet! Në një kohë kur të përballesh me partinë shtet është një sfidë pa garë; Kur opozita e djeshme i dhuron në tavolinë pushtetit Kodin Elektoral siç ai e dëshiron vetëm e vetëm për të mos lejuar të renë të hedh shtat; Kur pushteti e ka kthyer shtetin në funksion të deformimit të vullnetit qytetar; Punon në shtet? Duhet të bësh vota!
Merr ndihmë ekonomike në shtet? Bëj provë e mos e voto partinë në pushtet po deshe! Ke biznes? Provoje e pozicionohu hapur kundër pushtetit se me tatime e një duzinë inspektoratesh do të paraqiten te dera! Me media e një armatë opinionistësh që kujdesen se si të nxijnë këdo cenon status-quon”, tha Lapaj përmes një postimi në rrjetet sociale, përcjell A2.
“Ne Lëvizja Shqipëria Bëhet nuk u fshehëm, por u futëm në garë në Bashkinë Cërrik dhe me një fushatë model arritëm që të dyfishonim rezultatin në vetëm pak muaj nga zgjedhjet e datës 11 maj dhe konkretisht: në dt. 11 maj me kandidatin Eligert Hima në Cërrik morëm 6.28% ndërsa në dt. 9 nëntor morëm 13.62%. Jemi të vetëdijshëm që kaq nuk mjafton, se Shqipëria ka nevojë urgjente për ndryshim, por nga ana tjetër në kohën e nderë ku po jetojmë po ia dalim që me shumë punë të rrisim me ritme të shpejta një lëvizje të sulmuar nga çdo anë. Të kërkosh GARËN, në një shtet, shoqëri dhe kohë kur ajo nuk ekziston dhe të luftosh për të me parime e vendosmëri është kontributi më i madh që mund të bësh ndaj vendit dhe vetes. Përtej këtij terreni, ky vend ka gjithmonë e më shumë djem e vajza, burra dhe gra të cilët kërkojnë ndryshimin dhe që besojnë se Lëvizja Shqipëria Bëhet do e udhëheqë shumë shpejt këtë vend. Na u bashko”. (A2 Televizion)
