Ëndrra e Botërorit, Daku: Besoj te ky grup, me sakrificë ia dalim

Nga A2 CNN
6 Shtator 2025, 16:50 | Futboll

Ëndrra e Botërorit, Daku: Besoj te ky grup, me sakrificë ia dalim

Sulmuesi i Kombëtares, Mirlind Daku, beson se kualifikimi për në Kupën e Botës 2026 nuk është i paarritshëm. Në një konferencë për mediat të shtunën paradite, Daku tha se Shqipëria i ka mundësitë, por për këtë duhet shumë punë.

“Besoj e keni parë dhe po i referohem ndeshjes me Serbinë që kemi qenë shumë të përgatitur dhe më të mirë në atë ndeshje se kundërshtari. Besoj që vetëm kundër Anglisë që kemi luajtur atje, të gjitha ndeshjet e tjera i kemi dominuar dhe duhet edhe këto ndeshje të bëjmë një hap më shumë deri te ëndrra që kemi, për të siguruar Kupën e Botës. Edhe pse kanë mbetur shumë pak ndeshje, por është një rrugë shumë e gjatë, sepse duhet shumë punë dhe angazhim për të arritur deri atje, sepse kemi kundërshtarë shumë të fortë, por besoj te ky grup dhe te gjithë ne që me mund, sakrificë dhe angazhim do ja dalim”, tha Daku, raporton A2 CNN.

Në miqësoren ndaj Gjibraltarit, paraqitja e Shqipërisë la për të dëshiruar, duke fituar vetëm falë një penalltie të Asanit ndaj një kundërshtari më shumë se modest. Por mesfushori Julian Shehu, thotë se gjendja në skuadër është shumë e mirë. “Kritikat për ndeshjet e fundit dhe ndryshimet që duhet të bëjë skuadra në lojë – Besoj se nuk kemi zhvilluar ndeshje të këqija, por më e rëndësishmja është që të kemi rezultate, për të cilat ne luajmë 90 minuta. Besoj se në këto ndeshje, bashkë me lojën e mirë të kemi dhe rezultate. Ndaj Letonisë, duam të marrim tre pikët dhe gjithçka është më e lehtë pastaj”, u shpreh ai.

Shqipëria do të luajë të martën në ora 20:45 në stadiumin ‘Air Albania’ ndeshjen ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos