Ish-Presidenti Bamir Topi, i ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, deklaroi se “sot opozita është pa gojë, pasi kreu i saj është bashkautor i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008”.
“Në këto ndryshime bën pjesë edhe zgjedhja e Presidentit me 71 vota. Ja çfarë ndodh kur Presidenti emërohet, nuk e ka fuqinë të kundërshtojë”, tha Topi.
Kur u pyet nëse opozita duhet të futet në këto zgjedhje, ish-Presidenti u përgjigj: “Nuk po shikoj që opozita po trajton në një debat të fortë politik atë që po ndodh me dekretin. Ne i dhamë peshë jo anës juridike të çështjes, por anës politike. I bie që Rama ka të drejtë të bëjë gjithçka, ndërsa kemi një opozitë spektatore. Debati i ditës duhet të ishte raporti i presionit që ka Kryeministri me Presidentin. Fakti është që Presidenti e ka pranuar këtë presion. Atëherë, cili është fati i të tjerëve? Gjithçka është në qark të shkurtër. Nëse unë dua të të bëj keq, mund të të bëj”.
Sipas tij, “përgjegjësia për pjesëmarrjen në zgjedhje është e një partie që ka mbi 50 deputetë në Parlament, që marrin rroga të majme, që kanë mbrapa privilegje, dhe nuk besoj se duhet t’u them unë atyre se çfarë të bëjnë”.
“Problemi është tek njerëzit, të cilët duhet të kuptojnë që kur ka pasiguri nga politika, duhet të reflektojnë, të orientohen ndryshe. Nuk mund të orientohesh gjithmonë në një pikë”, theksoi më tej Bamir Topi. (A2 Televizion)