Avokati Edmond Petraj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, shpjegoi arsyet, sipas tij, pse ndodhin kaq shumë plagosje me thika mes nxënësve.
“Politikat arsimore i kanë dhënë shumë liri nxënësve dhe ka zhveshur rolin e mësuesit. Mësuesi nuk ka asnjë fuqi për të komunikuar me nxënësin. Nxënësi arrin deri aty sa e denigron mësuesin duke e filmuar. Kjo ka bërë që nxënësi të ndihet superior”, shprehet Petraj.
Avokati shtoi se politikat e reja arsimore nuk janë të gabuara, por “problemi është që ne po bëjmë hapa prapa”.
“Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave kanë frikë, pasi prindërit ndoshta kanë ndikim të fuqishëm dhe mësuesit e policia heshtin ndaj pretendimeve që mund të kenë ndaj fëmijëve. Vetë shkolla duhet të raportojë individët më problematikë si raste risku. Mirëpo nuk raportohen dhe pastaj krijohet një sherr për një “like” apo koment dhe merren thikat”, shpjegoi Edmond Petraj.
Sipas tij, parandalimi bëhet me një fushatë dhe ndërhyrje drastike. Duhet nisur operacion i madh në lidhje me rekordet e riskut që kemi nëpër shkolla”, theksoi avokati.
(A2 Televizion)