Partizani siguron vendin e tretë pas fitores ndaj Dinamos

Nga A2 CNN
10 Maj 2025, 21:46 | Futboll

Partizani siguron vendin e tretë pas fitores ndaj Dinamos

Partizani e mbylli sezonin në Superiore me një fitore të rëndësishme ndaj Dinamos, duke siguruar vendin e tretë në renditje dhe një vend në Europë. Skuadra e kuqe fitoi finalen për vendin e tretë me rezultatin 2-1, duke treguar karakter dhe përmbysje ndaj një Dinamoje që kaloi e para në avantazh.

Bregu shënoi fillimisht për Dinamon, por Partizani reagoi fuqishëm. Tedi Malaj, 17 vjeç, debutoi me gol duke barazuar rezultatin, ndërsa më pas Gudjufi shënoi golin e fitores në fillim të pjesës së dytë. Portieri i Dinamos, Tahri, nuk arriti të ndalë goditjen vendimtare.

Edhe pse ndeshja vlente për vendin e tretë, të dyja skuadrat kishin siguruar pjesëmarrjen në Europë. Kjo bëri që trajnerët të provonin disa lojtarë të rinj. Glen Daja zëvendësoi Ilir Dajën për Dinamon, ndërsa trajneri Gega preferoi rotacionin, duke hedhur në fushë gjashtë debutues: Tahri, Himallari, Malaj, Çipi, Ogunleje dhe Vata.

Fitorja përmbyll me sukses një sezon të vështirë për Partizanin, i cili rikthehet në skenën europiane me ambicie për më shumë.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në merkato. Do ulemi me klubin dhe stafin. Jemi në kupat e Europës, duhet të jemi të përgatitur”, tha trajneri Skënder Gega, pas ndeshjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos