
Një aksident tragjik ka ndodhur në Fenegrò, pranë Comos, ku një 81-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga automjeti që drejtohej nga Josep Martinez, portieri i dytë i skuadrës së Interit.
I moshuari ndodhej në karrocën e tij elektrike duke lëvizur përgjatë rrugës, kur u godit nga makina e futbollistit. Përplasja rezultoi fatale, pasi viktima humbi jetën në vendngjarje pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit të emergjencës.
Sipas mediave italiane, Martinez u ndal menjëherë për të dhënë ndihmën e parë dhe bashkëpunoi me autoritetet. Hetimet paraprake sugjerojnë se 81-vjeçari mund të ketë humbur kontrollin e karrocës dhe ka hyrë në krahun e kundërt pikërisht në momentin kur po kalonte automjeti i futbollistit, duke çuar në përplasjen fatale, shkruan A2 CNN.
Interi ka anuluar konferencën për shtyp të trajnerit Cristian Chivu, në prag të ndeshjes me Fiorentinën.
Josep Martinez, 27 vjeç, është portier spanjoll që iu bashkua Interit sezonin e kaluar nga Genoa dhe është zëvendësuesi i Yann Sommer. Ai ka debutuar me Interin në dhjetor në Kupën e Italisë dhe në kampionat më 22 shkurt 2025. (A2 Televizion)
