Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, do të dalë në gjyq më 2 prill, pasi akuzohet për evazion fiskal gjatë periudhës së tij të parë në krye të klubit spanjoll në vitet 2014-2015. Prokuroria pretendon se ai ka shmangur qëllimisht pagesën e mbi 1 milion eurove taksa duke mos deklaruar të ardhurat e tij të plota.
Ancelotti, i cili mohon akuzat, ka pranuar më parë se ka pasur një mospagesë në vitin 2014, por ia ka atribuar këtë gabimeve të llogaritarëve të tij. Ai insiston se nuk ka qenë rezident në Spanjë në vitin 2015 dhe për këtë arsye nuk ishte i detyruar të paguante taksa. Megjithatë, prokurorët argumentojnë se Real Madrid ishte burimi i tij kryesor i të ardhurave atë vit, pasi ai nuk mori drejtimin e Bayern Munich deri në 2016, shkruan A2 CNN.
Gjyqi vjen në një moment kritik për madrilenët, një ditë pas gjysmëfinales së kthimit të Kupës së Mbretit kundër Real Sociedad dhe pak para sfidës me Arsenal në Champions League. Ancelotti ka deklaruar se mbetet i bindur për pafajësinë e tij dhe se çështja është në duart e avokatëve të tij. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në katër vite burg. (A2 Televizion)