Pas zhgënjimeve në Champions, me eliminimet e Milanit, Juventusit dhe Atalantës, është radha e Romës që kërkon të mbrojë nderin e Italisë në Europa League. Verdhekuqtë sfidojnë Porton në Olimpico, pas barazimit 1-1 të ndeshjes së parë play-off.
Skuadra e Ranierit do të kërkojë kualifikimin në 1/8, aty ku momentalisht është edhe Lazio. Kryeqytetasit kanë vetëm një rezultat në dispozicion, për të dhuruar hipotezën e një derbi europian me rivalët e qytetit: fitorja është e vetmja që vlen.
Pavarësisht polemikave për arbitrimin në ndeshjen e parë, tashmë për Romën vlejnë vetëm këto 90 minuta të kthimit. Mungesat e Cristante-s pas kartonit të kuq në “do Dragão” dhe Saelemaekers i pezulluar me kartonë kanë peshë, por nuk mund të shërbejnë si justifikim, shkruan A2 CNN.
Lajmi i mirë është rikthimi i disa emrave të rëndësishëm, nga Hummels te Angeliño, për të arritur te Dybala, që është rikuperuar pas lëndimit në ndeshjen e parë. Mes atyre që do të luajnë është edhe Mancini.
Në ndeshjet e tjera, Galatasaray-n e pret misioni i vështirë i përmbysjes së humbjes 4-1 në ndeshjen e parë me Az Aalkmar, ndërsa Fenerbahçe duhet të mbrojë avantazhin 3-0 në transfertën me Anderlecht. Edhe Sociedad e Ferencvaros do të provojnë të mbrojnë fitoret me një gol diferencë të ndeshjeve të para. (A2 Televizion)