
Cristiano Ronaldo ka nxitur spekulimet për të ardhmen e tij, pasi ka deklaruar se viti i ardhshëm mund të jetë i fundit në karrierën e tij si futbollist.
Kapiteni 41-vjeçar i Portugalisë, një prej lojtarëve më të trofeshëm në historinë e futbollit, ka fituar thuajse gjithçka në nivel klubesh me Manchester United, Real Madrid, Juventus dhe klubin e tij aktual, Al-Nassr.
Pesë herë fitues i “Topit të Artë”, Ronaldo megjithatë nuk ka mundur të sigurojë trofeun më të madh të futbollit, Kupën e Botës. “Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll dhe dua të lë një trashëgimi spektakolare”, tha Ronaldo në një intervistë për revistën “Vogue”, të publikuar të dielën.
Sulmuesi portugez ka realizuar 976 gola për klubin dhe kombëtaren gjatë një karriere që shtrihet në më shumë se dy dekada, ndërsa tashmë është pranë shifrës së jashtëzakonshme prej 1,000 golash.
Duke folur për jetën pas futbollit, Ronaldo pranoi se do të ketë shumë aktivitete për të mbushur boshllëkun që do të lërë sporti.
“Kam kaq shumë gjëra që më mbajnë të angazhuar, saqë të të them vetëm një gjë është e vështirë. Meqenëse futbolli mund të lërë një boshllëk të madh, duhet ta mbushësh kohën tënde në mënyra të ndryshme, jo vetëm në një”, u shpreh ai.
Ronaldo shtoi se dëshiron të udhëtojë më shumë, të shijojë padelin dhe të ketë më tepër kohë për të shijuar atë që ka arritur gjatë karrierës.
“Dua të argëtohem më shumë, të udhëtoj më shumë, të shikoj dhe të luaj padel, gjë që më pëlqen shumë, dhe të vazhdoj të shijoj atë që kam fituar, atë që kemi fituar ne. Në fund të fundit, kanë qenë 25 vite me shumë sakrifica”, tha ai.
Për momentin, Ronaldo do të vijojë të luajë me Al-Nassr në Ligën Profesionale Saudite, ndërsa objektivi i tij i radhës është të bëhet lojtari i parë që arrin kuotën e 1,000 golave në karrierë.
(A2 Televizion)