Serbia beson te mrekullitë, kapiteni Mitroviç: T’i bëjmë tre fitore, ndoshta Shqipëria do gabojë

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 20:07 | Futboll

Serbia beson te mrekullitë, kapiteni Mitroviç: T’i

Kapiteni i Serbisë, Aleksandër Mitroviç shpreson ende tek një vend në Botërorin e 2026 edhe pas humbjes me rezultatin 0-1 në Leskovc nga Shqipëria.

Në konferencën para ndeshjes kundër Andorrës që do të luhet nesër në orën 20:45, Mitroviç tha se shokët e tij te Kombëtarja duhet të marrin mësime nga humbja kundër kuqezinjve.

“Është një rezultat i vështirë dhe i dhimbshëm, një periudhë e vështirë për të gjithë ekipin kombëtar. Pas një humbjeje të tillë gjithmonë dëshiron që ndeshja tjetër të vijë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për ne, duhet të marrim tre fitore për të ruajtur shanset tona teorike dhe presim rezultate të tjera që të na përshtaten”, tha kapiteni i Serbisë.

Më tej Mitroviç u shpreh optimist se Shqipëria do ta regjistrojë një humbje në dy ndeshjet e mbetura përballë Andorrës në transfertë dhe Anglisë më 16 nëntor në “Air Albania”.

“Fokusi është të qëndrojmë në lojë deri në ndeshjen e fundit dhe të shpresojmë që Shqipëria do të bëjë një humbje”, nënvizoi ai.

Serbia beson te mrekullitë, kapiteni Mitroviç: T’i

Më tej Mitroviç nënvizoi se ka folur me shokët e ekipit për të ngritur moralin e tyre.

“Në futboll, nuk ka shumë kohë për të festuar pas fitoreve të mëdha, as për trishtim pas humbjes. Kjo do të na dhembë për një kohë të gjatë, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Ka shumë lojtarë të rinj në ekip dhe ky është një test i madh për të gjithë ata djem. Duhet të nxjerrim mësimet tona dhe të ecim përpara. Fokusi është tërësisht te ndeshja me Andorrën, dhe pastaj do të mendojmë më thellë për atë që ndodhi në duelin me Shqipërinë.”

Në ndeshjen e së martës, futbollistët serbë do të drejtohen nga Zoran Mirković, i cili u emërua trajner i përkohshëm pas dorëheqjes së Dragan Stojković. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos