Lejimi apo ndalimi i skuterëve elektrikë ka shkaktuar debat në studion e Puls nga Bruna Çifligu në A2 CNN mes juristit Rigels Xhemollari dhe efektivit të Policisë Rrugore, Gerhard Baka.
Baka tha se policët mezi e kanë pritur këtë vendim të ministres së Brendshme, Albana Koçiu, e cila njoftoi të dielën përmes një postimi në Facebook, aksionin për bllokimin e monopatinave përkohësisht.
“Ne e prisnim një gjë të tillë dhe nga ana, edhe qytetare, edhe ligjore, mezi e prisnim që të bëhej një ndalim i kësaj kategorie. Se zotëria thotë le të qarkullojnë se e kane blerë me lekët e tyre”, tha Baka.
Por Xhemollari u shpreh se veprimet e policëve nëpër rrugët e Tiranës janë abuzivë, pasi nuk ka bazë ligjore për bllokimin e këtyre mjeteve.
“Ju po thoni, do dalim nesër në protestë që të qarkullojmë me patina elektrike”, iu kthye Baka. “Po ju s’keni ligj. Kur të bëni ligjin patjetër. Çdo gjë që nuk ndalohet, lejohet. Kur të japë mesazhin ministrja të mos ua marrë të nesërmen pronën. A keni zbatuar ndonjëherë një urdhër të pashkruar? Për mendimin tim duhen rregulluar me ligj. Duhen lejuar, sepse ulin ndotjen”, iu përgjigj Xhemollari. (A2 Televizion)