Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar ditën e sotme në mbledhjen e komisioneve parlamentare të Ligjeve dhe Nismat Qytetare.
Gjatë fjalës së tij, Dumani tha se ‘pastrimi i parave’ dhe ‘shkelja e barazisë në tendera’ kanë shfaqur rritje të lartë gjatë viteve 2023 dhe 2024, shkruan A2 CNN.
Dumani tha se kjo rritje e këtyre veprave penale reflekton abuzimin e vazhdueshëm me fondet publike.
Ai shtoi gjithashtu se korrupsioni i funksionarëve publikë ruan trend të lartë, duke dëshmuar për zgjerim të praktikave korruptive në administratën publike.
Drejtuesi i SPAK raportoi gjithashtu se gjatë vitit 2024 gjykatat kanë marrë vendime të formës së prerë për 10 funksionarë të lartë politikë.
“Sa i takon korrupsionit, treguesit e vitit 2024 tregojnë një tendencë në rritje në luftën kundër korrupsionit të funksionarëve publikë. Këto të dhëna tregojnë se nga totali i çështjeve në hetim, vetëm rreth 5.9 % janë kërkuar të pushohen, 12.3 % janë dërguar në prokuroritë e juridiskionit të përgjithshëm, rreth 1 % janë pezulluar, ndërsa rreth 67.4 % të çështjeve mbeten pjesë e hetimit për vitin 2025.
Në vitin 2024 janë 10 funksionarë të lartë publikë për të cilët ka patur vendime të gjykatave që kanë marrë formë të prerë. Përsa i takon matjes së nivelit të riskut, të dhënat mbi veprat penale në fushat e korrupsionit tregojnë një nivel të lartë dhe të qëndrueshëm rreziku me tendencë zgjerimin në disa kategori krimesh dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në qeverisjen publike, integritetin institucional dhe ekonominë kombëtare.
Veprat me rrezikshmëri më të lartë rezultojnë pastrimi i parave dhe shkelja e barazisë në tendera, të cilat shfaqin rritje të fortë në vitet 2023 dhe 2024, duke reflektuar abuzim të vazhdueshëm me fondet publike. Korrupsioni ruan trend të lartë, duke dëshmuar për hapje të praktikave korruptive në administratën publike”, tha mes të tjerash Dumani. (A2 Televizion)