Orges Shehi është zyrtarisht trajner i Partizanit. Tekniku i ri firmosi kontratën që e lidh me “Demat” për tre vitet në vazhdim. Një projekt afatgjatë, për të nisur një tjetër cikël fitues me të kuqtë.
Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Tiranën, 46-vjeçari kthehet në klubin ku ka luajtur katër sezone si futbollist dhe emocionet nuk mungojnë.
“Kur kalon nga një klub në një tjetër, kur dihet që të dyja klubet kanë histori të madhe dhe janë rivalë të përjetshëm, sigurisht që ka pak dozë emocionale. Por jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që kthehem te Partizani. Na mbetet një punë e madhe për ta mbajtur në këto standarde por edhe për ta çuar dhe më lartë.”
Shehi u përfol si kandidat për stolin e Partizanit prej 5 tetorit të kaluar, kur u largua nga detyra te Tirana. Arsyet përse zgjodhi të kuqtë janë të thjeshta.
Pas firmosjes së kontratës dhe prezantimit përpara mediave, Shehi nisi menjëherë nga puna me ekipin. Trajneri takoi futbollistët përpara stërvitjes dhe drejtoi seancën e parë. Objektivi kryesor i Partizanit në këtë sezon mbetet mbrojtja e titullit kampion. (A2 Televizion)