Pep Guardiola ka ende edhe një vit kontratë te Manchester City, por fjalët e tij vetëm pak ditë pas fitimit të Botërorit për klube kanë nxitur spekulimet për largimin nga stoli pas tetë sezoneve ku fitoi gjithçka. Praktikisht trajneri tha se “puna te Manchester City përfundoi”.
Deklarata ishte e drejtë për drejtë, ku fitimit të Tripletës, triumfet u shtuan edhe me Superkupën e Europës dhe Botërorin për klube. Ciklit të lavdishëm te sitizëns duket se i ka ardhur fundi.
“Jam i lumtur për çfarë kemi arritur në gjithë këto vite. Kujtoj 5 titujt në Premier League, 4 Superkupa të Anglisë, trofetë e FA Cup dhe gjysmëfinalet e luajtura. Por, tani kënaqësia është të kesh pesë trofe së bashku dhe të shohësh njerëzit që bëjnë foto. Kjo të kujton punën e madhe që kemi bërë”, tha Guardiola.
Pasi fitoi gjithçka të mundshme, trajneri zbuloi ndjesinë personale. “Është ndjesi e bukur. Duket sikur puna përfundoi vërtetë. E mendoja këtë sukses kur fituam Champions. Pastaj ishte Superkupa e Europës, që na mungonte. Më tej Botërori për klube, trofe të cilin nuk e kishim. Tani kemi gjithçka. Ka ardhur koha të blejmë një libër të ri dhe të fillojmë të rishkruajmë historinë nga e para”, u shpreh trajneri.
Sinjalet e largimit të Guardiolës do të nxisin ankandin mes atyre pak klubeve që mund të përballojnë kostot e trajnerit. Paga prej 22,4milionë euro është mjaft e lart, ashtu si edhe investimi i madh që nevojitet për një tjetër projekt fitues. Përveç Realit të Madridit, të gjithë klubet e tjerë miliarderë mund të hyjnë në garë. (A2 Televizion)