Gjykata shkarkoi presidentin, FIFA paralajmëron përjashtimin e Brazilit

Nga Erald Kodhelaj
26 Dhjetor 2023, 10:21 | Futboll

Gjykata shkarkoi presidentin, FIFA paralajmëron përjashtimin e

FIFA dhe CONMEBOL, Konfederata e Amerikës Jugore të futbollit i dërguan një letër zyrtare Federatës së Brazilit duke e kërcënuar me pezullim. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë vendi latin do të përjashtohej nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare për ekipe përfaqësuese apo për klube.

Kërkesa është e thjeshtë: të zgjidhet sa më shpejt dhe pa ndërhyrje të jashtme çështja e drejtuesit të federatës. Një lëvizje e cila erdhi pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë në Rio de Janeiro, që më 7 dhjetor shkarkoi nga detyra Ednaldo Rodrigues.

Ai akuzohej se u zgjodh si president i federatës prej parregullsive, teksa gjykata vendosi zhvillimin e zgjedhjeve të reja, organizimi i të cilave iu besua kryetarit të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë Sportive, Jose Perdiz, i cili mban edhe postin e presidentit në detyrë.

Në letrën e dërguar theksohej se “federatat anëtare të FIFA-s duhet t'i menaxhojnë situatat e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndikimin e palëve të treta”. Aty nuk mungoi edhe paralajmërimi në formë kërcënimi, për pasojat e rënda në rastin e ndërhyrjeve, ashtu si ndodhi me autoritetet braziliane.

“Rregullat janë të qarta. Ndërhyrja e forcave të jashtme nuk lejohet në asnjë lloj mënyre”. FIFA dhe CONMEBOL do të dërgojnë më 8 janar një delegacion në Rio de Janeiro. Synimi është të gjendet një zgjidhje për krizën e krijuar, për të evituar përjashtimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos