
Antonio Conte është dënuar me dy ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 15 mijë eurosh nga Lega Serie A, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen Inter–Napoli. Trajneri i Napolit humbi kontrollin në pjesën e dytë të takimit, pasi VAR-i konfirmoi një penallti për Interin, duke reaguar ashpër nga vija anësore.
Si pasojë, Conte nuk do të jetë në stol në dy ndeshjet e ardhshme të kampionatit kundër Parmës dhe Sassuolos, të dyja në “Stadio Maradona”. Sjellja e tij u cilësua e papërshtatshme, pasi goditi topin nga vija anësore dhe pati përplasje verbale me gjyqtarët para largimit nga fusha.
Në të njëjtin raund të Serie A, edhe trajnerë të tjerë si Paolo Vanoli dhe Davide Nicola u ndëshkuan me karton të kuq, por morën vetëm nga një ndeshje pezullim. Ndërkohë, Komisioni Disiplinor ka shpallur edhe pezullime për disa futbollistë, me dënime që variojnë nga një deri në tre ndeshje. (A2 Televizion)