Shqipëri-Izrael, Maran: Dua të fitoj me një futboll agresiv

Nga Dea Kozma
2 Qershor 2026, 17:19 | Futboll

“Dua të fitoj me një futboll agresiv dhe nja performancë të mirë nga skuadra! “ Kështu ka deklaruar trajneri i kombëtares shqiptare Rolando Maran. Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Izraelin, tekniku italian  doli përballë gazetarëve për të treguar pritshmëritë e tij në dy miqësoret e muajit qershor. Ndonëse ka vetëm dy ditë, që po stërvit skuadrën, Maran kërkon një skuadër me personalitet në fushë.

Ajo që është në fokus është që të jemi Shqipëri e cila kërkon të bëjë ndeshjen më të mirë të mundshme. Ajo që kam parë dhe më ka pëlqyer, është dëshira dhe motivimi i lojtarëve. Do të shohim si do përkthehet në fushë. Koha nuk është asnjëherë e mjaftueshme, kur je trajner dhe punon me një kombëtare. Janë shumë pak ditë që ke në dispozicion për të vendosur idetë e tua dhe për t’u njohur me lojtarët. Besoj se ka mjaftuar koha për një koncept të qartë se si duhet të luajmë.

Mes të tjerash Maran u shpreh se Izraeli është një skuadër e  fortë dhe s’duhet nënvlerësuar aspak.

Nuk është e lehtë me Izraelin, i bën skuadrat e tjera të luajnë keq dhe të bën të vraposh pa top. Duhet të japim shumë intensitet dhe të mos krijojmë shumë hapësira për ta. Do jetë test i mirë dhe stimulues për lojtarët.

I pranishëm në konferencën për shtyp, ishte dhe kapiteni Berat Gjimshiti, i cili tregoi për lojën që kërkon tekniku Maran. Sipas shtatlartit, edhe pse është fundi i sezonit secili lojtar do të jap maksimumin.

“Nuk është e thjesht, kemi shumë pak ditë bashkë. Idetë janë të qarta. Me atë pak kohë që kemi pasur besoj se kemi shikuar disa gjëra që i do trajneri për ciklin e ri. Që do nga lojtarët t’i bëjmë në fushë. Sa më shumë kohë kalon dhe më mirë bëhet. Besoj se jemi të gjithë të gatshëm të bëjmë çfarë kërkon trajneri dhe të japim maksimumin në fushë”, tha ai.

“Sigurisht me frymë të re dhe trajner të ri, të gjithë lojtarët duan të tregojnë për vend në kombëtare. Nuk është gjë normale të vish në kombëtare, ta veshësh këtë fanellë. Energjia është shumë pozitive siç ka qenë, do synojmë sa më lart dhe sa më mirë”.

Shqipëria do të luajë miqësoren me Izrealin të mërkurën në Arenën kombëtare me duelin që nis në orën 20:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos