Trajneri i ri i Shqipërisë, Rolando Maran, tha se para ndeshjes kundër Izraelit të mërkurën në “Arenën Kombëtare”, ka pasur shumë pak kohë në dispozicion për të provuar skemat e tij.
“Kam provuar shumë gjëra, edhe pse nuk kishim shumë kohë, kam provuar sa më shumë zgjidhje. Kam provuar të rreshtoj sulmuesit sa më ndryshe. Edhe gjatë ndeshjes mund të ndryshojë skema, për të pasur në fushë sa më shumë ide të jetë e mundur”, tha Maran në konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.
Ai vlerësoi impenjimin e lojtarëve edhe pse është fundi i sezonit. “Nuk është e thjesht të luash në ndeshje të tilla. Lojtarët vijnë nga një fund sezoni i vështirë, stresues dhe shumë i gjatë. Janë treguar profesionistë të vërtetë”, shtoi ai.
Sipas Maran-it, ndeshjet kundër Izraelit dhe Luksemburgut do të jenë një test për të gjithë lojtarët. “Ajo që kam parë dhe më ka pëlqyer, është dëshira dhe motivimi i lojtarëve. Do të shohim si do përkthehet në fushë. Nuk është e lehtë me Izraelin, i bën skuadrat e tjera të luajnë keq dhe të bën të vraposh pa top. Duhet të japim shumë intensitet dhe të mos krijojmë shumë hapësira për ta. Do jetë test i mirë dhe stimulues për lojtarët”, u shpreh ai. (A2 Televizion)