Gazetari Mantho Prokopi komentoi zgjedhjen e trajnerit Rolando Maran në krye të Kombëtares shqiptare nga ana e FSHF-së.
Në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, Prokopi u shpreh: “Rolando Maran është një trajner i cili vjen me një CV jo shumë të pasur. Ka qenë më së shumti në skuadrat e Serisë B në Itali dhe më pas në skuadrat e Serisë A me Genoa apo Chievo, pra me emra jo shumë të mëdhenj. U çuditëm shumë nga zgjedhja, ishim përgatitur për një emër më të madh dhe në fakt nuk kishim faj pasi larguam Sylvinhon që na çoi në Europian dhe playoff-in e Botërorit”.
“Mendohej të kishte një emër më të madh në stol për të rritur pjacën tonë. Por, ne morëm një trajner me një CV më modeste. Hera e parë që drejton një kombëtare. Të presim se çfarë do të bëjë në fushën e lojës. Me listën që prezantoi më pëlqeu që kishte dy risi. Kishte Hasën, i cili ka bërë mirë në fakt në sfidat e mëparshme me skuadrat e tij. Kishte edhe Pano Qirkon”, shtoi gazetari.
(A2 Televizion)