Myrto Uzuni dhe Julian Shehu: Japim maksimumin për të ndërtuar identitetin tonë

Nga Dea Kozma
1 Qershor 2026, 14:49 | Futboll

“Të motivuar për të dhënë maksimumin dhe pse dy ndeshje në kuadrin e miqësoreve”. Kështu deklaruan dy lojtarët e kombëtares shqiptare, Julian Shehu dhe Myrto Uzuni në konferencën e zakonshme për shtyp. Futbollistët kuqezi dolën këtë të hënë përballë gazetarëve ku treguan pritshmëritë e tyre për dy takimet miqësore të muajit qershor, ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.

Myrto Uzunit u shpreh se trajneri i ri Rolando Maran, pëlqen futbolli ofensiv dhe shpreson për të shënuar sa më shumë gola duke shtuar se sulmuesit në ekipet që ai ka menaxhuar, kanë realizuar shumë.

“Trajneri i ri preferon të luajë ultra-ofensiv. Besoj se do të bëhet një lojë ndryshe, por çdo gjë do shikohet në fushën e blertë. Normalisht, secili do të tregojë veten, çdo lojtar ka kualitete. Çdokush mund të luajë titullar, pasi janë lojtarët më të mirë që ka Shqipëria. Për sa i përket trajnerit të ri, nëse sheh skuadrat që ka menaxhuar, sulmuesit e tij kanë shënuar shumë gola dhe uroj që kjo të ndodhë në Kombëtare. Gjithmonë kur luan me Kombëtaren, luan për kombin dhe është një përgjegjësi e madhe”, tha Uzuni, përcjell A2 CNN.

Mesfushori Julian Shehu u shpreh se këto dy miqësore janë shumë të rëndësishme për ekipin.

“Mendoj që Shqipëria ka kualitet. E rëndësishme është që sa herë të jem në fushë të jap maksimumin me ekipin. Trajneri ka idetë e veta për lojën. Nëse do jem para do bëj maksimumin. Besoj se këto dy ndeshjet janë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë dhe Nations Legue. Janë dy teste shumë të rëndësishme për ne. Këto dy ndeshje janë të rëndësishme për të krijuar identitet. Çdo lojtar që është këtu e meriton të jetë në Kombëtare”, tha Shehu.

Kuqezinjtë do të luajnë të mërkurën përballë Izraelit në stadiumin Arena Kombëtare dhe tre ditë më vonë po në Tiranë, presin Luksemburgun. Të dyja takimet do të luhen në orën 20:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos