Është ndezur atmosfera në Prishtinë në prag të ndeshjes historike mes Kosovës dhe Turqisë. Qyteti është mbushur me mijëra tifozë nga të gjitha trojet shqiptare, nga Tirana, Shkodra, Vlora, Tetova, Gjilani e më gjerë, duke krijuar një atmosferë unike që shkon përtej sportit.
Në një lidhje me Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN gazetarët Altin Sulçe dhe Ideal Gola përcollën detajet e klësaj atmosfere.
“Atmosfera tashmë është ndezur. Është këtu një nga hapësirat ku është një prej fan zonave. Nga tre të tilla sa janë gjithsej në këtë qytet. Sigurisht kanë ardhur shqiptarë nga të gjitha trojet. Kemi takuar gjatë gjithë ditës së sotme që nga orët e mëngjesit dhe pritet vërtetë një atmosferë shumë e mirë, por shpresojmë shumë që edhe rezultati të jetë pozitiv dhe ai që duam më pas edhe festa të bëhet më plotë pas ndeshjes dhe të arritet objektivi që ne duam”, raportoi gazetari i A2 CNN Ideal Gola.
Në “Fan zonat” dhe përreth stadiumit “Fadil Vokrri”, mijëra qytetarë janë mbledhur për të përjetuar emocionet e kësaj përballjeje të rëndësishme, e cila mund të përcaktojë një hap të madh drejt kualifikimit në Kupën e Botës. Edhe pse kapaciteti i stadiumit është i kufizuar, entuziazmi i tifozëve ka krijuar një stadium të dytë jashtë tij.
“Këtu në stadium janë 13.500 dhe rreth 100.000-200.000 janë jashtë dhe nuk mund t'i lësh dot këta njerëz të cilët këtu kanë krijuar një stadium të jashtëzakonshëm, duke ndjekur me monitor ndeshjen. Kërkesat kanë qenë të jashtëzakonshme për këtë ndeshje, por mundësia është vetëm për 13.500 veta që do jenë me fat që do jenë në stadiumin "Fadil Vokri" këtu në Prishtinë. Për këtë ndeshje të madhe dhe historike, e cila do të përcaktojë një ndër pjesëmarrësit e kampionatit botëror në Amerikë”, tha gazetari Sulçe në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tyre tifozët shprehen optimistë për rezultatin, duke parashikuar fitore për Kosovën, ndërsa theksojnë se forca kryesore e ekipit mbetet zemra dhe shpirti luftarak. Për shumë prej tyre, kjo ndeshje ka një domethënie të veçantë, duke u konsideruar si një moment historik për vendin dhe identitetin kombëtar.
Atmosfera festive, këngët patriotike dhe flamujt kuqezi e dardanë dominojnë çdo cep të qytetit, duke e kthyer Prishtinën në kryeqendrën e shqiptarisë për këtë mbrëmje.
Tashmë, sytë janë nga fusha e lojës, me shpresën se festa do të kurorëzohet me një fitore të shumëpritur. (A2 Televizion)