Fati i keq po e ndjek Berat Gjimshitin në këtë fushatë të Ligës së Kombeve. Pasi performancës së nivelit të lartë në Euro 2024, kapiteni i kuqezinjve humbi ndeshjet e shtatorit me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, teksa vendin e tij në formacion e zuri i rikthyeri në formë, Marash Kumbulla.
Asokohe, Gjimshiti u dëmtua në një ndeshje të Seria A me Atalantën dhe situata është përsëritur sërish para ndeshjeve të 11 dhe 14 tetorit që Kombëtarja do të luajë në transfertë me Çekinë dhe Gjeorgjinë, raporton A2.
Ylli i mbrojtjes nuk i është bashkuar grumbullimit në Tiranës, pasi raportohet se ka pësuar një dëmtim në ndeshjen që Atalanta fitoi me Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampioneve, ku shënoi edhe golin e parë të sfidës për bergamezët.
Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim dhe pas përfundimit të pjesës së parë nuk zbriti më në fushë, shkruan A2. Gjimshiti nuk ishte i grumbulluar me Atalantën edhe në ndeshjen e fundjavës në kampionat ndaj Genoa.
Stafi mjekësor i Kombëtares shqiptare ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me atë të Atalantës dhe është vendosur që Gjimshiti të mos rrezikojë, që të rikuperohet sa më parë dhe të rikthehet sa më shpejt në fushën e lojës, përcjell A2.
Lista përfundimtare e Kombëtares është me 23 futbollistë pasi trajneri Silvinjo dhe stafi teknik kanë vendosur që të mos thërrasin lojtar tjetër në mungesë të Gjimshitit. (A2 Televizion)