Emri i tij mungon sërish në listën e Kombëtares shqiptare të futbollit për ndeshjen e shtatorit kundër Letonisë, për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, por Brajan Gruda vijon të mbetet një dëshirë e madhe e FSHF, teknikut Silvinjo dhe tifozëve kuqezinj.
Mesfushori i talentuar me tipare sulmues pret ende një ftesë nga Gjermania e madhe para se të vendosë se cilën kombëtare do të përfaqësojë, por kjo nuk e pengon të shkëlqejë në këtë fillim sezoni në Premier League.
Gruda ishte heroi i madh i Brighton, në përmbysjen spektakolare që “Pulëbardhat” i bënë Manchester City-t të Pep Guardiolës në shtëpi, këtë të dielë.
Gruda e nisi sfidën nga stoli dhe u hodh në fushë vetëm në minutën e 61', por ai dhe zëvendësuesit e tjerë i ndryshuan ritmin ekipit, duke e bërë më sulmues dhe kërkues drejt portës.
Fillimisht për Brighton shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, veterani James Milner në minutën 67’, ndërsa Gruda në të 89’ dërgoi topin në rrjetë për përmbysjen e shifrave në 2-1, pas një asisti të Mitoma.
Me këtë fitore Brighton ka grumbulluar tashmë 4 pikë në nisje të Premier League, pasi barazoi në start ndaj Fulham dhe humbi ndeshjen e dytë me Everton. (A2 Televizion)