Skandal te Zvicra, ylli i ekipit "tapë" në alkool para ndeshjes vendimtare me Rumaninë

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2023, 09:36 | Futboll

Zvicra të shtunën pas barazimit 1-1 me Kosovën, arriti që të kualifikohej në turneun e dhjetë madhor radhazi, duke siguruar një vend në fazën finale të Euro2024.

Pasi siguruan kualifikimin, tekniku Murat Yakin i la të lirë lojtarët për të festuar, duke ia lënë atyre në dorë se kur të ktheheshin në hotel.

Kushti i vetëm për yjet e Zvicrës ishte që të gjithë të paraqiteshin në formë të martën, në mënyrë që të mposhtnin Rumaninë për të fituar vendin e parë në grup.

Sipas “20 minuten”, futbollistët dhe stafi i kombëtares festuan deri në orët e para të mëngjesit në Bazel, por në veçanti njëri prej lojtarëve e ka tepruar me festën.

Portieri i Interit, Yann Sommer, është nisur me makinë drejt Zyrihut, me dëshmitarët okularë që tregojnë se ai u shfaq papritur në mes të natës në klubin e anëtarëve Klaus, në Langstrasse.

34-vjeçari ishte në humor të mirë dhe në klubin Klaus ka konsumuar pije, duke u larguar më pas nga dera e pasme rreth orës 08:00 të mëngjesit.

Pak orë më vonë, Sommer duhej të kthehej në Bazel, nga ku kombëtarja fluturoi drejt Bukureshtit të dielën në orën 16:30, por duket se e ka tepruar me alkoolin, pasi e ka ditur prej të shtunës se nuk do të mbronte ai katërkëndëshin e Zvicrës në Rumani.

Yvon Mvogo zuri vendin e tij të martën në mbrëmje, ku Zvicra humbi vendin e parë në grup, pasi u mposht në Bukuresht me rezultatin e ngushtë 1-0.

Por fakti se gardiani i Interit është parë i dehur ka mjaftuar që në Zvicër kombëtarja të kritikohet ashpër.

I shqetësuar për shfrenimin e lojtarëve duket se ka qenë edhe Xherdan Shaqiri. I pyetur nga mediat pas ndeshjes me Rumaninë se çfarë humori kishte në dhomat e zhveshjes, ai është shprehur: “Kishte muzikë, a mund ta imagjinoni”.

Humori festiv tregohet edhe në një foto në grup të Federatës Zvicerane të Futbollit (SFV) me ekipin, trajnerin dhe stafin duke brohoritur së bashku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos