Dalëngadalë kombëtarja shqiptare është duke marrë formë para Euro 2024, që për kuqezinjtë do të nisë më 15 qershor ndaj Italisë. Megjithatë, deri atëherë kuqezinjtë kanë shumë punë dhe shumë djersë për të derdhur për të qenë sa më të gatshëm që të synojnë të mposhtin kampionët në fuqi të Europës.
Këtë të diel, Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Sylvinho ka zhvilluar stërvitjen e fundit përpara ndeshjes së parë miqësore ndaj Lihtenshtejnit, e cila do të zhvillohet në orën 20:00 të së hënës në Hungari.
Sot me grupin është bashkuar edhe Abrashi, ndërsa mungesa e vetme ka qenë Berat Gjimshiti, i cili është ende pjesë e Atalanta-s, e cila mbyll këtë të diel Serie A me ndeshjen e prapambetur ndaj Fiorentinës.
Sa i përket formacionit në këtë miqësore foli edhe trajneri Sylvinho në konferencën për shtyp, aty ku tha se ai do të përbëhet nga futbollistët të cilët kanë luajtur më pak në klubet e tyre, ndërsa për të tjerët do të ketë më pak minuta. (A2 Televizion)