
Një 28-vjeçar i armatosur ka hyrë në një lokal në Kavajë, duke kanosur klientët dhe duke dhunuar pronarin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40 të së dielës, shkruan A2.
Një shtetas i armatosur hyri në një bar-kafe në lagjen nr. 2, ku kishte kërcënuar klientët dhe kishte goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi me automjet, duke përplasur dhe dëmtuar një mjet të parkuar. Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje të tij, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Durrës. Gjatë tentativës për t’i shpëtuar Policisë, për shkak të shpejtësisë së lartë, 28-vjeçari humbi kontrollin e automjetit, duke u përplasur me trafikndarësen dhe një automjet tjetër. Më pas ai braktisi mjetin dhe u largua në këmbë nga vendi i aksidentit.
Pas disa orësh, policia bëri të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës. I arrestuari është shtetasi M. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, i njohur për Policinë për precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë ndjekjes, ai hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet më pas në një kanal dhe u sekuestrua si provë materiale. Po ashtu, gjatë kontrollit në automjetin tip “Range Rover” që ai përdorte, u gjet edhe një krehër me municion luftarak.
Nga hetimet paraprake rezulton se i riu ka kanosur dy klientë të lokalit dhe ka goditur pronarin me qytën e pistoletës.
(A2 Televizion)