
Edhe pse kontrata i përfundonte në korrik, epoka e Sylvinhos në stolin e Shqipërisë u mbyll zyrtarisht këtë të martë. Braziliani përshëndeti për herë të fundit bashkëpunëtorët e tij pas më shumë se tre vitesh dhe i uroi suksese teknikut Maran në rrugëtimin e tij të ri.
Humbja 2–1 kundër Polonisë nuk shoi vetëm ëndrrën e Shqipërisë për Botërorin 2026, por shënoi edhe mbylljen e rrugëtimit të Sylvinhos në stolin kuqezi, shkruan A2. Braziliani erdhi në krye të përfaqësueses shqiptare në vitin 2023 dhe debutimi i tij në bankinë ishte më 27 mars kundër Polonisë, në atë disfatë minimale në Varshavë. Në atë kohë kishte vetëm pak ditë që kishte njohur skuadrën dhe përgatitjet sollën ndryshime të menjëhershme në fushë.
Atë vit, Shqipëria e mbylli në vendin e parë grupin e kualifikueseve për Europianin, duke siguruar për herë të dytë në histori një biletë në Kampionatin Europian 2024. Fati deshi që aty të përballeshim me gjigandë të futbollit, si Italia, Kroacia apo Spanja, ku sërish bëmë një paraqitje dinjitoze, ndonëse kundërshtarët ishin të një niveli tjetër.
Sukseset e Sylvinhos nuk mbaruan këtu. Si kurrë më parë, kuqezinjtë ishin shumë afër një kualifikimi historik në Kupën e Botës. Pasi e mbyllën grupin në vendin e dytë, pas Anglisë, dhe me atë fitore historike në Serbi, të gjithë shqiptarët kishin një ëndërr: kualifikimin në Botëror, një dëshirë që u pre në mes pas disfatës me Poloninë në gjysmëfinalen e “Play-Off”-it.
Miqësorja me Ukrainën, një tjetër disfatë, mbylli përfundimisht rrugëtimin e Sylvinhos në kombëtare pas tre vitesh e gjysmë. Kontrata e brazilianit përfundonte në dhjetor të vitit 2025, por Federata Shqiptare e Futbollit ia zgjati me gjashtë muaj, pasi siguroi kualifikimin në ndeshjet “Play-Off” për Botërorin 2026, me synimin e vetëm suksesin në ndeshjet e mbetura.
Sylvinho, gjatë këtyre tre viteve, e ka drejtuar Kombëtaren shqiptare në 34 ndeshje, ku ka arritur 15 fitore, 12 humbje dhe 7 barazime. (A2 Televizion)