Në Luginën e Preshevës u finalizua me sukses turneu i futbollit ku qëllimi kryesor ishte promovimi i këtij sporti te brezi që po rritet. Fëmijë të moshave të ndryshme që i bashkonte pasioni i madh për futbollin. Në organizimin nga Federata shqiptare e futbollit, ky event i arriti të gjithë pritshmëritë, shkruan A2 CNN. Sipas kreut të FSHF-së, Armand Duka, aktivitete të tilla duhet të jenë më të shpeshta duke theksuar se në të ardhmen do të ketë projekte të reja.
“Për mua është kënaqësi dhe emocion që jam sot këtu. Qëllimi i FSHF-së, objektivi i saj është motivimi i fëmijëve kudo që ato jetojnë për të luajtur futboll. Ky turne është jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, ka specifikat e veta, por nuk ka asnjë qëllim politik përveç se të promovojë futbollin. Futbolli ka vetëm një gjuhë, atë sportive, të topit, të golit dhe respektin për shokët, kundërshtarin, për lojën dhe për veten. Nëpërmjet lojës ne duam të krijojmë ura komunikimi, mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi dhe të edukojmë sa më mirë fëmijët tanë kudo që ata jetojnë. Mund ta konsideroj fillimin e një organizimi të ri.
Në bisedat që kemi bërë me të gjithë aktorët e futbollit në Luginë, do të krijojmë projekte të reja bashkëpunimi për të qenë sa më afër fëmijëve, talenteve dhe për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre sportive”, tha Duka.
Në fund kreu i FSHF-së i premtoi fëmijëve se do të kenë mbështetjen maksimale nga federata shqiptare jo vetëm për infrastrukturën, por edhe për të edukuar trajnerë, për mbështetje me uniforma sportive dhe topa. (A2 Televizion)