Kategoria Superiore është kthyer në një trampolinë për futbollistët shqiptarë për transferimin në klube të mëdha europiane.
Së fundmi, edhe Dinamo ka shitur dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj, si Zabërgja dhe Itodo, që do të vijojnë karrierën në Ukrainë. Ylli shqiptar i Kosovës, Baton Zabërgja, pas një sezoni fantastik me kryeqytetasit ka zgjuar interesin e shumë klubeve të mëdha europiane, por Ukraina duket se e ka joshur më shumë lojtarin që në sezonin e ri do të veshë fanellën e Metalist 1925, së bashku me sulmuesin Itodo Mandela.
Lojtari dardan ka firmosur një kontratë për tre vite me opsion rinovimi dhe për një tjetër, ndërsa nga shtija e tij, Dinamo do të përfitojë 800 mijë euro, ndërsa paga e futbollistit arrin deri në 350 mijë euro.
Përveç Zabërgjës, edhe Itodo Mandela ka mbushur arkat e Dinamos pasi nga transferimi i tij kryeqytetasit përfitojnë plot 1,1 milionë euro dhe totali nga dy lojtarët shkon afro 2 milionë euro.
Ata do të qëndrojnë në Tiranë të paktën edhe 2 javë për të ndihmuar Dinamon në aventurën e saj në Conference League. (A2 Televizion)