Në prag të ndeshjes Serbi-Shqipëri, që do të luhet nesër në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit, mediat serbe raportojnë për masa të rrepta sigurie dhe për “tentativa nga tifozët shqiptarë” për të siguruar bileta për sfidën.
Gazetari i Sport Klubit, Branko Spasojeviç, duke folur për televizionin N1, tha se biletat për këtë ndeshje nuk kanë qenë në shitje të lirë, por janë shpërndarë në mënyrë të kontrolluar përmes Federatës së Futbollit të Serbisë dhe klubeve lokale, shkruan A2 CNN.
“Biletat nuk kanë qenë në shitje. Ato janë shpërndarë nga Federata dhe organet rajonale të futbollit, më pas klubeve dhe tifozëve të përzgjedhur. Megjithatë, ka pasur seriozisht zëra se disa bileta janë kërkuar dhe ofruar nga tifozë shqiptarë në jug të Serbisë, konkretisht në Vranjë dhe Bujanoc, ku dyshohet se është tentuar shpërndarja e tyre,” deklaroi Spasojeviç.
Sipas tij, autoritetet serbe janë në dijeni të këtyre përpjekjeve dhe kanë marrë masa të forta kontrolli. “Federata e Futbollit e Serbisë ka sqaruar se policia zotëron informacionet përkatëse dhe do të bëjë maksimumin për të shmangur çdo incident. Biletat janë të personalizuara dhe askush nuk mund të hyjë pa dokument identifikimi,” shtoi ai.
Kjo do të jetë ndeshja e parë midis dy kombëtareve në territorin serb që nga përplasja e famshme e vitit 2014, e ndërprerë pas incidentit me dronin. (A2 Televizion)