Trajneri Sylvinho ka folur para sfidës vendimtare të së shtunës në transfertë ndaj Serbisë. “Çdo ndeshje është e rëndësishme, por sot, po, kjo është më e rëndësishmja. Nëse fiton, bëhet edhe më e rëndësishmja ajo pasuese. Është një ndeshje emblematike, e bukur,” tha Sylvinho, duke theksuar se skuadra është e përqendruar maksimalisht pas stërvitjeve intensive në Tiranë.
Tekniku brazilian konfirmoi se të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe se mungesa e golit nuk është shqetësim. “Goli është pika e fundit e futbollit, por ne kemi punuar për të mbërritur aty. Kam besim te të gjithë djemtë,” u shpreh ai.
Për rivalin serb, trajneri e pranoi se është një skuadër e fortë, me lojtarë që luajnë në kampionate të nivelit të lartë. “E dimë si rreshtohen, por edhe ata na njohin. Nuk ka surpriza të mëdha në këtë nivel,” shtoi braziliani, shkruan A2 CNN.
Duke folur për presionin dhe të ardhmen e tij, ai tregoi qetësi: “Presioni është pjesë e lojës. Kam qenë në ekipe si Arsenali e Barcelona, e di si është. Te Shqipëria jam i lumtur, por askush nuk është i përjetshëm.”
“Në 90 minuta çdo gjë mund të ndodhë. Duhet të luajmë me intensitet, me zemër e me shpirt. Kam besim të plotë te skuadra jonë.” (A2 Televizion)