Tragjedia në Alpet e Zvicrës: Nata e Vitit të Ri që u shndërrua në inferno - çka ndodhi në Crans-Montana?

Nga A2 CNN
1 Janar 2026, 17:34 | Bota

Tragjedia në Alpet e Zvicrës: Nata e Vitit të Ri që u

Dhjetëra të vdekur, rreth 100 të lënduar, prindër të dëshpëruar që tentonin të thyenin kordonin policor për të hyrë brenda e për të kërkuar fëmijët e tyre: mediat zvicerane raportojnë mbi situatën në Crans-Montana, ku shpërtheu një zjarr në një bar ndërsa mysafirët po festonin Vitin e Ri.

Crans-Montana është shtangur. Ajo ndodhet në një gjendje tronditjeje të thellë, e mpirë dhe e pafuqishme për të kuptuar atë që ndodhi sapo akrepat shënuan fillimin e vitit të ri. Kjo ndjenjë rëndon veçanërisht në “Rue Centrale”, ku mëngjesin e kësaj të enjteje, qindra njerëz qëndrojnë pas shiritave të kuq dhe të bardhë të policisë, shkruan gazeta “Tages Anzeiger” në një reportazh nga vendi i ngjarjes. “Vetëm banorët mund të kalojnë!” - kjo është përgjigjja e prerë e policëve që ruajnë zonën rreth barit “Le Constellation”. Atje, ku vetëm pak orë më parë dhjetëra njerëz humbën jetën në një zjarr ferri, tani mbretëron era e djegies dhe heshtja mortore.

Sipas raportimeve të detajuara nga “Tages-Anzeiger”, vendi është rrethuar me paravanë për të mbrojtur privatësinë e viktimave, ndërsa në rrethimin e hekurt kanë të vendosen lulet e para. “Është tragjike, kaq tragjike”, thotë një i moshuar italian që jeton në këtë fshat turistik. Në çdo cep të Crans-Montana, vendasit mblidhen kokë më kokë, këmbejnë lajmet e fundit përmes WhatsApp-it dhe pyesin për fatin e fqinjëve të tyre. Katastrofa ndodhi në zemër të fshatit, në momentin kur mijëra turistë po festonin në rrugë.

Sipas dëshmitarëve okularë të cituar nga “Tages-Anzeiger”, skenat pas shpërthimit ngjanin me ato të një lufte. Tym i zi që dilte nga bari, njerëz që vraponin të përfshirë nga flakët duke ulëritur dhe trupa të pajetë që shtriheshin në tokë.
Rayan Guiren, vetëm 18 vjeç, ishte aty pranë kur nisi zjarri. Si një klient i rregullt i “Le Constellation”, ai tregon: “Kur arritëm, pamë njerëz me rroba të djegura kudo në tokë. Prindër të dëshpëruar tentonin të thyenin kordonin policor për të hyrë brenda e për të kërkuar fëmijët e tyre”. Shumica e të pranishmëve ishin të moshës 15 deri në 20 vjeç. Sipas mediave lokale, viktima më e re mendohet të jetë vetëm 16 vjeçe.

Bilanci është i rëndë: dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të lënduar. Qielli mbi kantonin e Wallisit u pushtua nga zhurma e 10 helikopterëve dhe 40 ambulancave që transportonin të plagosurit drejt qendrave të djegieve në Zürich dhe Lausanne. Shumë të rinj që prisnin në radhë për të hyrë në bar shpëtuan vetëm falë faktit se radhët ishin shumë të gjata dhe i ftohti i detyroi të largoheshin pak minuta para katastrofës.

“Le Constellation”, i përshkruar si vendi që duhet vizituar patjetër nga elita, ishte në pronësi të një çifti francez nga Korsika. Me një kapacitet për 300 persona, bari ishte i mbushur plot. Megjithatë, dyshimet mbi sigurinë janë të forta. Banorët vendas pohojnë se lokali kishte vetëm një dalje dhe asnjë dalje emergjence të mirëfilltë, një pretendim që mbetet për t’u vërtetuar nga hetimet. Për më tepër, vlerësimet në platformat online për sigurinë e lokalit ishin shqetësuese, vetëm 6.5 nga 10 pikë. Shkaku i zjarrit mbetet mister, por në fshat qarkullojnë thashetheme për përdorim të mjeteve piroteknike ose shkëndija nga qirinjtë dekorativë.

Crans-Montana, një nga destinacionet më të vizituara në Alpet e Zvicrës me 3 milionë vizitorë në vit, tani duhet të përballet me këtë plagë. Vendi që dikur kishte si banorin më të famshëm aktorin e James Bond, Roger Moore, sot është larg luksit dhe flet vetëm për humbjen e jetëve të reja.

Ndërkohë gazeta tjetër zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” ka botuar një artikull ku liston tragjeditë që ndër vite kanë tronditur Zvicrën.

Në gusht të vitit 2018, rrëzimi i avionit historik Ju-52 në majën Piz Segnas në Alpet e Kantonit të Glarusit u mori jetën 20 personave. Investigimi i mëvonshëm zbuloi se pilotët kishin fluturuar në mënyrë “shumë të rrezikshme” në një lartësi të ulët. Por kjo nuk ishte tragjedia e parë ajrore. Në vitin 2001, avioni i kopmanisë “Crossair” u rrëzua pranë fshatit Bassersdorf afër Zürichut gjatë uljes në Aeroportin e Zürichut, duke shkaktuar 24 viktima. Edhe më herët, në vitin 1970, një bombë e terroristëve palestinezë shpërtheu në një fluturim të kopmanisë ajrore “Swissair” drejt Tel Avivit, duke rrëzuar avionin në fshatin Würenlingen dhe duke vrarë të 47 personat në bord. Ndërsa në vitin 1963, vdiqën 80 pasagjerë pasi avioni nga Zürichu në Gjenevë u rrëzua afër fshatit Dürrenäsch.

Shtatori i vitit 2001 mbetet i paharrueshëm për zviceranët për një tjetër arsye. Friedrich Leibacher hyri i armatosur deri në dhëmbë në Parlamentin e Kantonit të Zugut, duke vrarë 14 politikanë lokalë.

Katastrofat natyrore kanë marrë gjithashtu haraçin e tyre. Në vitin 1965, 88 punëtorë, kryesisht emigrantë italianë, humbën jetën nën një ortek akulli gjatë ndërtimit të digës Mattmark. Më vonë, në vitin 1999, gjatë lundrimit të furishëm në lumin Saxetbach humbën jetën 21 të rin. Ata i përfshiu një valë gjigante uji dhe balte.

Në rrugët e Zvicrës, zjarri në tunelin e Gotthardit në vitin 2001 (11 të vdekur) dhe aksidenti tragjik i autobusit në Sierre në vitin 2012, ku 22 fëmijë belgë nuk u kthyen kurrë në shtëpi pas pushimeve të skijimit, mbeten plagë të hapura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos