Egnatia mund të shkruajë sot historinë duke u kualifikuar në turin e dytë të Champions League.
Rrogozhinasit përballen sot në mbrëmje me Breidablik në ndeshjen e kthimit pas fitores 1-0 në stadiumin “Arena Egnatia”.
Ekipi i Tetovës është entuziast, megjithatë secili prej lojtarëve e di mirë që asgjë nuk ka mbaruar këtu pasi janë dhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur, shkruan A2.
Në pesë ndeshjet e fundit, tri zyrtare dhe dy miqësore gjatë fazës përgatitore, Egnatia nuk ka pësuar asnjë gol, një tregues i mirë ky për Tetovën që duket se mbrojtjen e ka një nga repartet më të forta të skuadrës.
Megjithatë, së fundmi, dilemat janë dhe aty. Pas dëmtimit të Edison Ndrecës në ndeshjen e parë, Tetova duhet të gjejë zëvendësuesin e tij që me shumë gjasa do të jetë njëri mes Alijevit dhe Poçit. Mungesë tjetër do të jetë Regi Lushkja, që në përfundim të takimit të parë u ndëshkua me karton të kuq dhe nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën.
Për klubin nga Rrogozhina, kjo mund të jetë një nga ato netët që mund të mbeten gjatë në kujtesë. Me avantazhin e një goli, Egnatia është gati dhe ndodhet vetëm një hap larg historisë.
Takimi Breidablik-Egnatia do të luhet sot në mbrëmje, në orën 21:00, në Islandë. (A2 Televizion)