Revolta për dënimet e Disiplinës, pas dhunës në futbollin e femrave, gjatë ndeshjes Tirana-Vllaznia është shoqëruar me të tjera dënime për skuadrën shkodrane. Ekipi kuqeblu vendosi të mos paraqitej në takimin e kthimit të Kupës së Shqipërisë në Gramsh, edhe pse e kishte fituar 2-0 sfidën e parë.
Ky bojkot u dënua me gjobë 100 mijë lekë të reja, humbjen e ndeshjes 3-0 në tavolinë, por mbi të gjitha me përjashtimin nga sezoni aktual dhe sezoni pasardhës i Kupës. Në këtë mënyrë, Vllaznia e femrave shkurorëzohet si kampione në fuqi e aktivitetit, të cilin e ka fituar për dhjetë sezone me radhë.
Në Kategorinë Superiore, Erzeni është dënuar me zhvillimin e katër ndeshjeve pa spektatorë. Shkak është bërë hedhja e sendeve të forta nga tifozët, gjatë sfidës me Vllazninë, ku u godit edhe drejtori sportivi kuqebluve, Tefik Osmani. Klubi shijakas u dënua edhe me gjobë në masë 200 mijë lekë të reja.
Për sa i takon dënimeve individuale, Komisioni i Disiplinës pezulloi futbollistin Albi Doka për tri javë nga aktiviteti. Në vendimin e argumentuar, ndëshkimi për mbrojtësin e Tiranës u dha për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në barazimin 2-2 kundër Teutës në Durrës. (A2 Televizion)
Vendimet e Disiplinës, Vllaznia e femrave përjashtohet në dy edicione të kupës
