
Juventusi mposhti Bolonjën me rezultatin 2-0, duke bërë një hap shumë të madh drejt sigurimit të një vendi në Champions League.
“Zonja e Vjetër” e zhbllokoi ndeshjen shumë herët, që në minutën e dytë. Pas një krosimi të saktë nga Pierre Kalulu, sulmuesi Jonathan David shënoi me kokë për 1-0, shkruan A2.
Në pjesën e dytë, Juve e kontrolloi lojën dhe e siguroi fitoren në minutën e 57-të, kur Weston McKennie asistoi me një krosim perfekt, ndërsa Khephren Thuram realizoi me kokë nga afërsia për 2-0.
Në minutën e 72-të, trajneri Luciano Spalletti e aktivizoi Edon Zhegrovën në vend të Francisco Conceiçao.
Me këtë fitore, Juventusi shkon në kuotën e 63 pikëve dhe e mban vendin e katërt, duke krijuar një diferencë prej pesë pikësh ndaj ndjekësve si Roma dhe Como.
(A2 Televizion)