Alarmi është ndezur në Shkodër. Vllaznia ende nuk e ka shijuar fitoren e parë në këtë kampionat dhe pas katër javësh, kuqeblutë numërojnë vetëm dy pikë. Humbja 2-0 ndaj Laçit ishte një tjetër goditje për skuadrën shkodrane, që tashmë e sheh veten në vendin e tetë të klasifikimit. Por më shqetësuese është forma e përgjithshme e ekipit.
Në 12 ndeshjet e fundit në kampionat, Vllaznia ka marrë vetëm një fitore, krahas tre barazimeve dhe tetë humbjeve. Një bilanc që flet qartë për një skuadër në krizë: 20 gola të pësuar dhe vetëm 12 të shënuar.
Dhe kriza nuk është vetëm te rezultatet. Vllaznia po vuan edhe në aspektin ofensiv, ndërsa në prapavijë po pëson më shumë se ç’është mësuar të bëjë një skuadër që synon të jetë në pjesën e sipërme të tabelës. Ironia është e madhe nëse kujtojmë sezonin e kaluar. Në shtëpi, Vllaznia ishte një nga skuadrat më të forta të kampionatit, duke grumbulluar 44 pikë në 18 ndeshje, me 14 fitore.Sot, tabloja është krejt tjetër.
Katër javë, asnjë fitore. Dy pikë. Dy humbje dhe dy barazime në kampionat. Shkodranët duhet të reagojnë menjëherë nëse duan të jenë një prej pretendentëve kryesor edhe këtë sezon.
Edhe këtë javë, shkodranët nuk do të kenë aspak të lehtë pasi përballen me Teutën, kryesuesen e kampionatit pas javës së 4.. Dueli do të luhet të premten në orën 18:30, në stadiumin Loro Boriçi, në Shkodër. (A2 Televizion)