Punë, disiplinë, stërvitje dhe çdo gjë mund të arrihet! Ky është rasti i peshëngritësit, Ertjan Kofsha, shtangistit 19-vjeçar i cili edhe pse ka pak vite që e ka nisur karrierën e tij, sukseset e tij janë të mëdha dhe premtojnë për të ardhmen.
Edhe në këto ditë të nxehta të gushtit, Ertjanin së bashku me trajnerin e tij Leonard Toska i gjejmë në palestër në një stërvitje intensive dhe me objektiva të mëdha.
“Sportin e kam filluar në moshën 11-vjeçare”, tregon Ertjani për A2 CNN. “Medaljet janë të shumta. Janë 5 ari dhe 4 të tjera argjendi dhe bronzi. Tani objektivat e mi janë Botërori dhe Europiani që janë në shtator dhe tetor. Pres medalje ari ose argjendi”.
Trajneri Toska tregon se cilësitë që Ertjani ka janë të jashtëzakonshme dhe pse vështirësitë kanë qenë të mëdha. “Ne mendojmë për të arritur rezultate shumë më të larta. Historia më e madhe e sportit është Olimpiada”, thotë Toska. “Mua nuk më lodh stërvitja, por problemet e tjera. Ku do hajë sportisti, sa do të fitojë sportisti”.
Një jetë dedikuar sportit, përmes emocioneve që e rikthjenë vite pas, ai kujton kohën si nisi kjo ëndërr. Toska thotë për A2 CNN, se kur nisi angazhimin në këtë sport, peshëngritja nuk kishte as fonde.
Vetëm 19 vjeç, por Ertjan Kofsha i premton medalje Shqipërisë në arënën ndërkombëtare. Vitin e kaluar ai u shpall kampion bote për moshat U-20 në peshëngritje në stilin e shkëputjes ndërsa tani ambiciet janë dhe më të mëdha. (A2 Televizion)