Viti 2025 do të regjistrojë një ngjarje të jashtëzakonshme për vendin tonë. Gara ikonike e çiklizmit, Xhiro e Italisë, do të nisë nga Shqipëria dhe do të mbyllet në Romë. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i eventit sportiv, Mauro Vegni.
Tre vjet pasi gara startoi në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, organizatorët vendosën që Xhiro e Italisë të ngrejë siparin përsëri jashtë gadishullit Apenin. Shqipëria është vendi i përzgjedhur për rast, me tre etapa që do të zhvillohen në vendin tonë, përpara se çiklistët të spostohen të gjithë në zonën e Puljas.
Lajmi u konfirmua vetëm pak ditë përpara prezantimit zyrtar të itinerarit të garës, që do të zhvillohet më datë 12 nëntor.
“Do të nisim me tre etapa në Shqipëri, përpara se të kthehemi në Puglia, e cila do të jetë pika me jugore e Italisë në historinë e Xhiros. Në të kaluarën, rruga nisej nga Calabria dhe më pas ngjitej. Kjo bënte që gara ti kalonte 4,000 kilomëtra distancë. Tashmë që kemi limitin e 3,500 kilometrave, jemi detyruar që të reduktojmë etapat”, tha Mauro Vegni.
Pas suksesit me dorëzimin e çmimeve përpara Koloseut në Romë, gara do të mbyllet përsëri në kryeqytetin italian, madje do të kalojë edhe brenda Vatikanit.
Xhiro e Italisë është një prej tre eventeve më të mëdha sportive në botë, së bashku me Turin e Francës dhe Vueltan e Spanjës. Ajo është edhe gara e parë e Grand Tour, pasi konkurrimi nis në muajin maj. (A2 Televizion)