Tirana e basketbollit për meshkuj, si çdo sezon, vjen me objektiva maksimale. Bardhëblutë mbeten një nga ekipet pretendente për të fituar trofeun në fund, ndonëse rivaliteti mes ekipeve do të jetë i madh në parket. Nën drejtimin e trajnerit Erkand Karaj, kryeqytetasit kanë krijuar një skuadër ku bashkohet eksperienca e disa lojtarëve me talentin e djemve të rinj. Synimi i Tiranës është i qartë: të rikthejë titullin kampion në shtëpinë bardhëblu, shkruan A2.
Prej vitesh, meritë të veçantë në të gjitha sukseset e Tiranës ka trajneri Erkand Karaj, i cili dikur jepte kontributin e tij si lojtar, ndërsa sot është trajner i ekipit më të trofeshëm në Shqipëri.
Kapiteni ka një rol shumë të rëndësishëm në skuadër. Sa herë ka ndeshje të vështira, presioni është i madh, por të kesh në skuadër një kapiten si Red Vogli, i dashuruar me ngjyrat bardhëblu, puna bëhet më e thjeshtë.
Endrit Hysenagolli dhe Erin Hasani janë dy lojtarët më shtatlartë që Tirana ka. Gjatësia e tyre është mbi dy metra dhe, jo vetëm te Tirana, por në të gjithë basketbollin shqiptar, ata mbajnë rekordin.
Tirana do të bëjë çmos për të rikthyer titullin në kryeqytet. Në rivalitet me Teutën dhe Besëlidhjen, bardhëblutë janë gati dhe të motivuar maksimalisht për të dhënë maksimumin në parket. (A2 Televizion)