Mbi 500 vrapues, Bledar Mesi dhe Luiza Gega mes fituesve në Maratonën e Shkodrës

Nga A2 CNN
4 Tetor 2026, 20:49 | Sporte të tjera

Edicioni i dytë i Maratonës së Shkodrës u zhvillua në rrugët e qytetit, duke mbledhur mbi 500 pjesëmarrës të të gjitha moshave nga Shqipëria, rajoni dhe vende të tjera të Europës.

Aktiviteti, i organizuar nga Bashkia Shkodër dhe ekipi i atletikës Vllaznia, synon nxitjen e pjesëmarrjes në sport dhe përfshirjen e sa më shumë qytetarëve në aktivitete fizike.

Sipas organizatorëve, rritja e numrit të vrapuesve në këtë edicion dëshmon interesin për një ngjarje që po kthehet në traditë për qytetin, shkruan A2.

Pjesëmarrësit, mes tyre edhe vrapues që garuan për herë të parë, u shprehën të kënaqur me përvojën, atmosferën dhe organizimin e maratonës.

Fitues i garës së 5 kilometrave u shpall Bledar Mesi, një emër i njohur i atletikës shqiptare. Megjithëse jeton prej vitesh në Tiranë, Mesi ruan lidhjen me Shkodrën, qytetin ku nisi rrugëtimin e tij në atletikë. Ai shprehu kënaqësinë për fitoren në këtë garë.

Mes fitueseve ishte edhe Luiza Gega. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, atletja vlerësoi organizimin nga Bashkia Shkodër dhe ekipi i atletikës Vllaznia.

Me mbi 500 pjesëmarrës në edicionin e dytë, Maratona e Shkodrës po konsolidohet si një aktivitet që bashkon sportistë profesionistë dhe qytetarë të apasionuar pas vrapimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos