Ligji i sponsorizimit dhe ai i basteve sportive pritet që brenda këtij viti të miratohen. Këtë e ka bërë të ditur nga Korça presidenti i Komitetit Olimpik Fidel Ylli, kur është shprehur se dëgjesat publike tanimë janë kryer dhe pritet vetëm miratimi në parlament, shkruan A2 CNN.
“Nuk ka ngërç, mbaruan gjithë dëgjesat. Brenda muajit dhjetor ligji mund të shkojë në parlament për të votuar. Kryeministri ka dhënë dritën jeshile, janë marrë mendimet e federatave dhe komitetit olimpik, jemi gati për të bërë procedurën për të shkuar në parlament. Do kemi ligj sponsorizimi dhe bastesh që janë shumë të rëndësishëm për sa i përket Sportit, Artit e kulturës”, tha Ylli.
Për Korçën para 4 vitesh u premtua një stadium i ri dhe modern por kjo duket se do vijojë të ngelet premtim të paktën për 4 vitet e ardhshme, pasi ka pasur ngërç me tenderimin dhe afrimin e kompanive ndërkombëtare
“E mbani mend këtë karakatinën mbrapa? Nga koha e Enverit. Keni një pallat sporti, fusha atletike, është bërë Park i jashtëzakonshëm. Vulën do ja vendosë stadiumi. Është bërë tenderimi por nuk u afrua asnjë firmë, tani qeveria është e detyruar të ndryshojë projektin pasi biznesi privat do duhet të vijë te investojë 100 milionë euro stadium po nuk pati interesin e vet. Shumë shpejt do realizohet siç po ndodh në Durrës, Vlorë”, tha ai.
Juglindja e vendit ka pasur investime në fusha futbolli, volejbolli, tenisi dhe sporte të tjera ndërsa kërkesa e korçarëve vijon të jetë stadiumi i ri. (A2 Televizion)